Alba-Motorsport & Shqiponjat e Prizrenit në EURO-TOUR 2012

Edhe këtë vit, për të 10’tin vit radhasi,  shoqata bamirëse e motoristëve Eurobiker organizon udhëtimin me motora, ku destinacion i këtij sezoni është Moldavia dhe Rumania. Nga datat 25 Maj – 1 Qershor, në grupin e tyre do të jenë edhe motoristët shqiptar të Zvicrës anëtar të motorklubit Alba-Motorsport dhe Shqiponjat (Eagles) të Prizrenit.

EURO-TOUR 2012

Zvicër, Austri, Çeki, Poloni, Ukrainë, Moldavi, Rumani, Hungari, Sllovaki, Çeki, Austri, Zvicër

Kliko mbi Hartë që ta zmadhosh


PROGRAMI I UDHËTIMIT;

  • 25 Maj, Reinach – Vjenë – Krakovë 482km

Nisja nga Reinach bëhet në ora 18:00, vazhdojmë për në Feldkirch të Austrisë ku për shkak të kohës që të mund të mbërrijmë në Krakovë detyrohemi të udhëtojmë me tren gjatë natës deri në Vjenë. Në mëngjes më pas vazhdojmë për në Brno, një qytet me një qendër shumë të bukur të cilin e vizitojmë çdo vit kur janë garat me MotoGP. Pastaj kalojmë nëpër Ostrava për në Krakovë ku do të takohemi me miqtë tanë shumëvjeçar Eurobikers

Shqiponjat e Prizrenit

Aty na pret edhe Uka (Wolfgang Schmitz), mik dhe dashamirës shumë i çmuar i yni i cili është njëkohësisht edhe anëtar nderi tek vëllezërit tanë motoristë të Motorklubit Shqiponjat (EAGLES) të Prizrenit, të cilët janë edhe Eurobikers Kosova njëkohësisht.  Ata fatmirësisht këtë vit të do të rrugëtojnë edhe një super xhiro tjetër të tyren si grup rreth Detit të Zi. Për këtë udhëtim (tjetër artikull ky) do të na dëftojë më vonë Bujar Isaja, presidenti i MK Shqiponjat e PZ dhe Eurobikers Kosova.

  • 26 Maj, Krakovë – Ivanov Frankivsk 464km

Prej Krakovës nisemi së bashku me Eurobikers si zakonisht në grupe të vogla prej 8-10 apo 12 motoristësh të cilët sipas dëshirës bëjnë rrugëtimin e tyre dhe gjithmon brenda orës i takojmë grupet e mbledhura bashkë rrugës duke pirë kafe apo duke vizituar vende të ndryshme ose sikur “herët e kaluara” duke i tejkaluar e duke ecur përpara 🙂

Çernobili (sargofagu atomik) është 105km larg prej rrugës sonë, që do të thotë se supas gjendjes momentale radioaktive dhe vullnetit tonë mund të kthehemi nga rruga dhe të vizitojmë këtë vend tragjik me pasoja të rënda për planetin tonë. Në mbërmje takohemi të gjithë grupet së bashku në Hotel dhe pastaj dalim natën në qytet.

  • 27 Maj, Ivanov Frankivsk – Chisinau 453km

Prej Ivanov Frankivsk, qytet i cili ka ndryshuar shumë pak prej kohës së ushtrisë së kuqe, shkojmë drejt kufirit Moldavo-Ukrainas, rrugë e cila deri tek kufiri është me një dendësi popullate apo banimi shumë të rrallë.

Pas hyrjes në Moldavi jemi në një pjesë të këtij vendi e cila është e acaruar politikisht për arsye se në të “ekziston” një shtet brenda Moldavisë i cili ka parlamentin e vet, qeverinë e vet, valutën e vet… Prandaj është një shtet i kompletuar por që nuk njihet nga askush në botë përpos Rusisë dhe për rrjedhojë është në një gjendje mjerimi.

  • 28 Maj, Chisinau-Bacanau 276km

Nga Chisinau deri në Bacau kemi vetëm 276km, që do të thotë se do të kemi kohë të bëjmë disa guida qejfi dhe kemi kohë më shumë për t’u njohur dhe për njëri-tjetrin sesa për të vozitur motorët. 20 km larg Chisinaut është vendi i ashtuquajtur Cricova. Ky vend i vogël është shumë karakteristik sepse në të ndodhet Bodrumi i Verës më i madhi në botë! Në të futesh brenda me makinë dhe je si në një qytet nëntokësor me një gjatësi prej 120km. Janë rreth 1.25 milion shishe verërash nga 456 lloje rrushi dhe pemësh. Rrugët e këtij qyteti nëntokësor quhen Bordoux, Chardonay, Cebernet, Mouscat, etj. E keqja më e madhe e këtij udhëtimi është se duhet të jemi të kujdesshëm me degustimin e verërave pasi jemi në drejtim të mjeteve me dy rrota.

  • 29 Maj, Bacau – Sibiu 331 kma

Bacau Sibiu kemi po ashtu një rrugëtim të shkurtër pasi nuk mund të parashikojmë reagimin organizmit tonë pas degustimit në Chisinau 🙂 Do të kemi një rrugëtim shumë interesant pasi do t’i kalojmë së paku tre “passe.”

  • 30 Maj, Sibiu – Lipova – Arad 270km

Nga Sibiu për në Arad janë qëllimisht vetëm 270km për arsye se do të udhëtojmë nga Sibiu deri në Lipova të gjithë motoristët së bashku në grup sikurse edhe vitet e tjera që tanimë është bërë traditë. Me këtë udhëtim bëhet edhe dorëzimi i ndihmave Humanitare të cilat janë mbledhur tërë vitin në tërë Evropën për t’u dorëzuar në mënyrë festive dhe sa më të shpërndarë, gjë që na bënë të jemi krenar për punën që kemi bërë tërë vitin. Natyrisht që do të jemi në përcjellje të Policisë pasi e gjithë kolona do të jetë shumë e madhe dhe është e pamundur të rendet në mënyre të paorganizuar.

Më kulmuese dhe më emocionalja e përshirë me një fjalë “highlight” e vitit është arritja në kampin e fëmijëve të braktisur dhe në spitalin e fëmijëve me pasoja psikike dhe fizike ku ndihmat i dorëzojmë personalisht. Gëzimi dhe shkëlqimi i syve të atyre fëmijëve të emocionon aq shumë saqë të bën të lutesh një moment dhe ta falemnderosh Zotin për gjithçka me plotë kuptimin e fjalës “të gjitha” që ke, posaçërisht shëndetin, familjen, punën, motorin. Pas dorëzimit të ndihmave dhe disa orëve festive që do t’i kalojmë aty, vazhdojmë për në Arad në Bikerparty ku pas “check out” në hotel në festë mblidhemi të gjitha ata që bëmë këtë rrugëtim madhështor, motoristë vendas, përfaqësues politikë, etj. Natyrisht që sofrën tonë do ta ndajmë me miqtë tanë të afërt nga motorklubi Slavonoski Brod i Kroacisë. Me moton “kallu Rumani kallu” 😀

  • 31 Maj Arad – Budapest 271km

Nga Arad për në Budapest nuk kemi rrugëtim të gjatë për shkak se nisemi diku nga mesi i ditës, pasi të jemi çlodhur mirë dhe të jemi të freskët për të vizituar qytetin e bukur të Budapestit.

  • 1 Qershor-Rrugëtim Shplodhës

Pas Budapestit vazhdojmë për shtetin Sllovak ku nuk do të kemi më kilometra të përcaktuara por do të shkojmë në mënyrë të shplodhur dhe ndalojmë sipas dëshirës ku do të vizitojmë qytetin si Barnska Bytrica, Liptovsky Mikulas, Martin, Trensin, Bratislava, etj. Karakteristike në Sllovaki janë Tatrat e lart dhe Tatrat e ulta që janë bjeshkë të larta. Maja më e lartë e këtyre bjeshkëve të bukura është me një lartësi mbidetare prej 2655m.

Pas dy apo tre ditëve që do t’i kalojmë në Sllovaki na pret një ditë në qytetin e Vjenës ku do të vizitojmë muzeun e artit historik për të parë shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë të madh Skënderbé. Pas Vjenës marrim drejtimin e Zvicrës që të përfundojmë edhe një udhëtim tjetër gjigant me qëllime dëfryese, humanitare dhe politike.


Them politike sepse e shumta e këtyre shteteve që do t’i kalojmë nuk na njohin ne si shtet, dhe për këtë 
arsye në motorët tanë do të valëvisim flamujt e Kosovës dhe atë Kombëtar. Në këto shtete që nuk na njohin akoma do të kemi edhe takime me përfaqësues shtetëror që ne do t’u prezantohemi tek ata si shtetasit më të rinj të Evropës e që jemi në rrugëtim humanitar me miqtë tanë Evropian.

A ke dëshirë të marrësh edhe ti pjesë në këtë rrugëtim dëfryes, të gjatë dhe humanitar? Mos ngurro të më kontaktosh.

Bujar DullajKryetar i Motorklubit Alba-Motorsport në Zvicër.

  1. Lini një koment

Lini një koment